Konferenca “Mbështesim Risitë në Agrobiznes, Serat, një potencial i madh për t’u eksploruar!” , e zhvilluar për herë të dytë, solli në vëmendje të medias dhe të pranishmëve ditën e sotme rëndësinë e agrobiznesit në ekonominë e një vendi, organizim ky nga Intesa Sanpaolo Bank Albania në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave, Ambasadës Italiane në Tiranë, Dhomës Italiane të Tregtisë dhe Kooperacionit Italian për Zhvillim.

Konferenca e organizuar në tre panele mirëpriti folës të rëndësisë së veçantë si Zv. Kryeministrin e Shqipërisë, Z. Niko Peleshi; Ministrin e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave, Z. Edmond Panariti; Ambasadorin SH.T.Z Massimo Gaiani, Ambasada e Italisë në Tiranë; Z. Maurizio Zannier, Presidenti i Dhomës Italiane të Tregtisë, të cilët theksuan potencialin e madh të Shqipërisë për zhvillimin e agrobiznesit dhe serave duke bërë kështu të mundur rritjen disa herë të prodhimit dhe eksporteve të produkteve bujqësore, duke qenë të favorizuar fuqimisht nga klima e vendit, krahu i punës dhe kërkesa e tregut europian e vendas për prodhime gjithnjë e më cilësore e rezistente në kohë.

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv, Z. Silvio Pedrazzi theksoi se Intesa Sanpaolo Bank Albania duke ndjekur nga afër mundësitë e vendit për zhvillim ekonomik e duke u përpjekur të jetë pranë nevojave të fermerëve, ka krijuar produkte specifike për bujqësinë e për serat në veçanti, meqënëse rendimenti i tyre është 4-5 herë më i lartë se ai i mënyrave tradicionale të kultivimit.

“Banka ka një prezencë të gjerë me degë të saj në të gjitha terrenet e përshtatshme për agrokulturë në ultësirën perëndimore të vendit, ku një staf i specializuar në këtë veprimtari ekonomike ofron konsulencë financiare dhe informacion të detajuar mbi mënyrat e mbështetjes së investimeve me kushte financiare shumë të favorshme, me një pjesëmarrje të Bankës deri në 70% të shumës, me vlera financimi deri në 350.000 euro ose 50.000.000 lekë, me afat rikthimi deri në 12 vjet, me periudha pauze që respektojnë sezonalitetin e produkteve, Banka bëhet njëherazi edhe mbështetëse për gjetjen e furnitorëve të këtij sektori në Shqipëri dhe Itali. ” – tha ai.

Paneli i dytë u fokusua më shumë në Teknologjinë e Serave si një Biznes në zhvillim, Specifikat e tyre, kushtet dhe infrastrukturën e nevojshme, kostot dhe ekonomitë e shkallës në investime të tilla.

Z. Branko Durinic nga Bulfon Luigi Carpenterie, ndërmarrje Italiane e specializuar në ndërtimin e serave dhe Z. Massimo Lucchini nga Idromeccanica Lucchini SpA, një tjetër ndërmarrje ndërkombëtare me qendër në Itali e specialiuar në të gjitha pajisjet e serave nga pikëpamja hidro-mekanike e ndërtimit dhe mirëfunksionimit me efikasitet të tyre, ndanë eksperiencat dhe mundësitë që ofron sot teknologjia gjithnjë në zhvillim, duke qenë një promotor kryesor i rritjes së prodhimit, sigurisë e jetëgjatësisë së këtyre investimeve. Paneli u pasurua me eksperiencat e disa bizneseve të suksesshme lokale që operojnë në këtë fushë si: AlbaFragola, përfaqësuesit e së cilës folën mbi Pritshmërinë e Investimeve në Sera, Përfitueshmërinë dhe prodhimtarinë e tyre. Duke e quajtur Shqipërinë një zbulim për prodhimin e luleshtrydheve, përmes ekspertëve italianë ata dhanë shembuj të suksesshëm të aplikimit të tuneleve me film termik për luleshtrydhet dhe më gjerë. Histori të suksesshme në Investime Serash u paraqitën edhe nga Agro-Koni  për mbjelljen e farave në sera dhe nga Elite-AE mbi Bimët Mjekësore BIO në sera.

Në panelin e fundit folësit u fokusuan në Skemat e Siguracionit në Bujqësi, ku Z. Giovanni Razeto, Drejtor i ISMEA nga Ministria Italiane e Bujqësisë, ndau eksperiencën italiane në këtë fushë që është vazhdimisht në zgjerim. Z. Andrea Senatori, Drejtor i Kooperacionit Italian për Zhvillim theksoi ndihmën financiare dhe të gjithë facilitetet që ofron ky Program për ndërmarrjet shqiptare të vogla e të mesme, ekzisutese apo që sapo nisin biznesin, duke ofruar linja Kredie të butë dhe riforcimin e marrëdhënieve tregtare e prodhuese mes bizneseve italiane e atyre shqiptare. 

Z. Alberto Prestopino, Drejtori i Divizionit Retail pranë Intesa Sanpaolo Bank Albania u fokusua në Investimet  afatgjata në sera dhe nevojat për financim, duke shpjeguar mënyrat se si të përballosh investimin, Financimin Bankar dhe skema të tjera mbështetëse që rrjedhin nga bashkëpunimet ndërinstitucionale.  Duke bërë një analizë të detajuar të situatës dhe zhvillimeve në fushën e agrokulturës dhe veçanërisht në zhvillimin e serave, të cilat në Shqipëri zënë vetëm 0,2% të sipërfaqes së tokës bujqësore, ai vuri theksin te avantazhet që ofron vendi duke pasur klimën më favorizuese në rajonin e ballkanit, që i mundëson Shqipërisë të jetë në treg me prodhimet e saj rreth 1 muaj më parë se vendet fqinje, duke siguruar një përfitim edhe më të lartë nga agrobiznesi dhe duke punësuar rreth 20.000 njerëz më shumë në rast se shfrytëzon potencialin e saj për të arritur synimin e 4-fishimit të sipërfaqes e investimeve në sera.

Kontakt

Adresa: Shoqëria e Parë Financiare e Zhvillimit, Rruga Dervish Hima 4, Tiranë, Shqipëri
E-Mailinfo@faf.al
Tel/Fax: +355 4 2 223937

© 2018 Shoqëria e Parë Financiare e Zhvillimit FAF Sha